Policia ka dalë me informacionin e parë jozyrtar për incidentin në të cilin mbeti i plagosur drejtori i Klinikës së gjinekologjisë, Valon Bela.

Në këtë informacion përmenden tre persona me iniciale, për të cilët thuhet se kanë qenë bashkë me atentatorin, për të cilin nuk jepen detaje, transmeton Gazeta Lajm.

“Sot në ora 17 e 45 është denoncuar se në rrugën ‘Llazo Terpkovski’ është gjuajtur V.B. (40) nga Shkupi në këmbën e djathtë nën gju.

Ndaj tij ka shtënë një person i cili ka qenë bashkë mr E.H., E.A. dhe R.N. V.B është transferuar në spitalin e qytetit”, njoftoi policia.

Në një incident të armatosur në Çair, sonte u plagos me dy plumba Valon Bela . Pas plagëve të marra ai me urgjencë është dërguar në spital. Tani për tani sulmuesit janë të panjohur.

Bela para disa muajve u emërua drejtor ekonomik në Klinikën e Gjinekologjisë.

Bela për së pari herë në skenë politike u paraqit përmes organizatës joqeveritare “ Realiteti”, ndërsa më vonë si lider i partisë Lidhja Shqiptare në vitin 2010 kur atë kohë për disa mediume pati deklaruar se qëllimi i tij është të ndajë Maqedoninë në tre  “kantone”, një kanton shqiptarë, një maqedon dhe një të përzier. Pastaj kjo parti shkrihet në PDSH-në e Menduh Thaçit, ku Valon Bela emërohet nënkryetarë partie.

Por, pas kalimit në BDI-në e Ali Ahmetit, ai njihet edhe për kërcënimin ndaj ish-kryetarit të Komunës së Çairit Izet Mexhiti, kur në qershor të 2016, sipas informatave që qarkullonin nëpër mediume, ai kishte kërcënuar me një plumb të mbështjellur në një pliko, pasi nuk ishte emëruar drejtor i fondit pensional.