“Arabia Saudite ka rënë dakord të shpenzojë paratë e nevojshme për të ndihmuar në rindërtimin e Sirisë, në vend të Shteteve të Bashkuara”,- shkruan presidenti Trump në një mesazh që ka publikuar në Twitter.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump tha të hënën se Arabia Saudite do të shpenzojë para për të ndihmuar në rindërtimin e Sirisë.

“Arabia Saudite e ka pranuar të shpenzojë paratë e nevojshme për të ndihmuar në rindërtimin e Sirisë, në vend të Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar Trump në Twitter, ndërsa ka shtuar: “A nuk është mirë kur vendet shumë të pasura ndihmojnë në rindërtimin e fqinjëve sesa një Vend i Madh si ShBA-ja, që ndodhet 5.000 kilometra larg. Faleminderit Arabi Saudite”.

Pas një telefonate me presidentin turk Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) javën e kaluar, Trump bëri një njoftim të papritur: Shtetet e Bashkuara do të tërheqin trupat nga Siria. Të dy liderët ranë dakord mbi nevojën e një koordinimi më efektiv mbi vendin e shkatërruar nga lufta (Siria).
Raportet sugjerojnë se forcat amerikane do të largohen nga Siria brenda 60 deri në 100 ditë.

Vendimi i Trump për të dalë nga Siria u pasua nga dorëheqjet e shefit të tij të mbrojtjes James Mattis dhe i dërguari i posaçëm i tij për koalicionin ndërkombëtar të krijuar për të mundur DAESH-in, Brett McGurk.
Tërheqja amerikane vjen në prag të një operacioni të mundshëm ushtarak turk në pjesën verilindore të Sirisë kundër grupit YPG/PKK.
Arabia Saudite në gusht të këtij viti premtoi 100 milionë dollarë për rindërtimin e krahinës Raka, e cila u shkatërrua nga organizata xhihadiste DAESH.