Turqia është e vendosur të kalojë sa më shpejt në lindje të lumit Eufrat, në Sirinë veriore, citohet të ketë thënë të martën ministri i jashtëm i Ankarasë, duke sinjalizuar synimin e rinovuar për të nisur një fushatë ushtarake, të vonuar nga tërheqja e SHBA-ve.

Turqia tha këtë muaj se do të niste një operacion të ri ushtarak për të eliminuar milicinë kurde të YPG nga Siria veriore, por e shtynë këtë aksion, pasi Shtetet e Bashkuara thanë se do të tërhiqnin trupat e tyre.

Ankara e konsideron YPG-në si terroriste dhe është zemëruar nga mbështetja e SHBA-së për grupin në luftën kundër Shtetit Islamik.

Vendimi i papritur i Presidentit Donald Trump për të tërhequr trupat nga Siria, ka dorëzuar luftën kundër Shtetit Islamik te Turqia dhe i ka dhënë në mënyrë efektive Ankarasë dritën e gjelbër për të shtyrë në zonat e mbetura nën kontrollin e kurdëve në Siri veriore.