Në një intervistë për mediat vendase në një kohë që protestat kundër tij përshkallëzohen në Serbi, presidenti Aleksandër Vuçiç deklaroi se do të rinisë dialogun me Prishtinën vetëm pas heqjes së taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një intervistë për TV Pink, komentoi ekipin e ri dialogues shtetëror të Kosovës dhe për mundësinë e vazhdimit të dialogut.

Sipas tij, kushti i vetëm për vazhdimin e bisedimeve mbetet heqja e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe. Kuvendi i Kosovës i dha dritën jeshile delegacionit shtetëror që do të merret me dialogun. Ky ekip do të udhëhiqet nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.

Por presidenti serb foli sërish dhe për ushtrinë e Kosovës duke theksuar se këto forca do të kenë të drejtë të hyjnë në veri të vendit vetëm me lejen e KFOR dhe të komunitetit serb atje. Sipas tij vetëm këto janë kushtet reale dhe cdo gjë tjetër është jo e vërtetë. Duke shtuar se nuk do të lejohen armë në këtë zonë të vendit, Vuçiç uroi serbët që jetojnë në Kosovë që të kalojnë Krishtlindje dhe festa në paqe duke qenë të sigurtë se kanë gjithnjë mbështetjen e Beogradit. /abcnews.al