Kryeministri Edi Rama, përmes një video mesazhi në rrjetet sociale ka uruar shqiptarët brenda dhe jashtë vendit për Vitin e Ri 2019.

Rama e nisi urimin me disa lajme të mira si heqja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, zhvillimi i infrastukturës ajrore, hyrja në fuqi e çekut për bebet e lindura nga data 1 janar 2019 si dhe mbyllja e lojërave të fatit.

Kreu i qeverisë tha se viti 2019 do të jetë viti i nisjes së fluturimeve nga aeroporti i Kukësit dhe do të nisë ndërtimi i aeroportit të Vlorës. Po këtë vit, Rama tha se do të nisë ndërtimi i hekurudhës moderne Tiranë-Durrës.

“2019-a nis me një qeveri të re, ne jemi të vetmit që mund t’u japim dhe padyshim që do t’i japim zgjidhje problemeve të studentëve. Ju përcjell urimet e mija më të përzemërta. Qoftë një vit i mirë për shqiptarët”, u shpreh ndër të tjera Rama.