Kreu i qeverisë Edi Rama dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj kanë shkuar sot në burgun e grave, ku kanë njohur të dënuarat me aministinë që ka vendosur të bëjë qeveria, e që pritet të nxjerrë në liri gjysmën e tyre.

Në sytë e shumicës prej tyre dukeshin lotët dhe dhimbja, ndërkohë që shpreheshin të penduara për krimet që kishin kryer, pasi shpreheshin se jashtë i prisnin fëmijë dhe familje. E para që tregoi historinë e saj ishte Redona, 24-vjeç, e cila tregoi se ishte arrestuar 3 vite e gjysmë më parë për drogë.

“Unë jam Redona 24 vjece, jam arrestuar para 3 vite e gjysëm në doganë pasi supozohej se isha duke trafikuar lëndë narkotike. Kam 3 vjet e gjysëm që vuaj dënimin e mund të them që jam penduar shumë, ishte gabim që unë bëra dhe mendoj se ishte më shumë mosha ime e vogël që më detyroi të bëj atë lloj gabimi.

Duke ardhur këtu e duke arritur të njoh e njerëz e histori të tjera kam arritur të kuptoj që gratë këtu s’duhen paragjykuar per asnjë vepër që kanë bërë se ka qenë një moment i gabuar ose për shkak të faktorëve ekonomikë dhe vështirësive familjare që kanë pasur.

S’duhen gjykuar aq rëndë nga gjykata për veprime që kanë ndodhur për faktorë të ndryshëm. Doja tju kërkoja edhe që kur gratë plotësojnë afatet para kohe të tregoheshin pak më të lehta për gratë që janë nëna e bija e i mungojnë një familje, një shtëpi ka nevojë për një grua për të qendruar shtëpi e fortë”, u shpreh Redona.

Ndërkohë që Ermira e ka dhe më të vështirë qendrimin në qeli, për shkak se jashtë e presin tre fëmijë, të cilëve nuk iu jep dot një përgjigje se kur do të kthehet ti shohë sërish. “Unë jam Ermira, jam dënuar për trafik ndërkombëtar droge, të hashashit. Nuk jam krenare e më vjen shumë turp në radhë të parë nga vetja e fëmijët, kam 3 fëmijë, por isha e detyruar nga gjendja ekonomike, isha e ndarë me 3 fëmijë që i rrisja vetëm, me detyroi të bëj disa vepra që s’ndihem aspak krenare.

Kam 5 jet që vuaj dënimin duke lënë 3 fëmijë vetëm që më presin dita me ditë. E kur më pyet ai i vogli mama kur do vish e nuk di përgjigjen është një ndienjë që s’mund tua shpjegoj me fjalë. Të jesh këtu brenda eshtë shumë e vështirë. Githcka mund të kalohet në jetë por kufizimi i lirisë duhet ta provojë dikush që ta kuptojë. Një nënë në burg do të thotë një famiilje e shkatërruar, sidomos për fëmijët që s’kanë një nënë pranë ti kontrollojë e ti mbështetë”, tregoi Ermira.

“Unë kam 8 vjet këtu e kjo që ka ndodhur këtë herë s’ka ndodhur më parë. Të gjitha kanë qarë nga gëzimi, të gjitha rrinë me zermët ngrirë kush do i bjerë fati të dalë. Gruaja është drita e shtëpisë, shtëpive tona i mungon drita” – thotë një tjetër e dënuar me emrin Yllka.