Coronavirusi deri tani ka marrë 56 jetë njerëzish dhe ka infektuar mbi 2 mijë të tjerë.

Virusi që lindi fillimisht në Wuhan të Kinës pritet që të përhapet në të gjithë globin.

Shtete të ndryshme kanë planifikuar të evakuojnë nga Wuhani qytetarë e tyre.

Por sa shqiptarë janë në Kinë momentalisht?

Top Channel i ka kërkuar të dhëna Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme rreth numrit aktual të shqiptarëve që studiojnë dhe punojnë në Kinë.

Sipas informacionve paraprake, bëhet me dije se në Kinë ka rreth 400 shqiptarë që punojnë e jetojnë në Kinë dhe 60 studentë.

Deri më tani nuk raportohet për të prekur mes tyre.

Zëdhënësja e MEPJ në përgjigjen e saj tha:

“Për shkak te rrethanave në Kinë ne kemi mangësi te statistikave. Vetëm këshilli bursave në Kinë na ka dërguar informacion për studentet qe kalojmë mes tij. Janë rreth 60 studentë. Nuk ka raportim për te prekur mes tyre.

Por ka dhe një numër (vlerësimi ynë rreth 400) shqiptaresh punojnë ose përpiqen të punojnë, me ose pa banim, me ose pa letrat e qëndrimit, te cilët për shkak te statusit te tyre (jo konform kërkesave për punë dhe qëndrim) evitojnë te vetëraportohen ose regjistrohen diku. Deri më tani nga kontaktet e ngushta që MEPJ po mban me ambasadën shqiptare në Pekin nuk ka të dhëna për shtetas shqiptarë të infektuar”.

Coronaviruset janë infeksione të traktit respirator që mund të çojnë në sëmundje si pneumoni ose ftohje të zakonshme.