Gjakderdhja nga hunda që në gjuhën mjekësore njihet edhe si “epistaxis” është një fenomen mjaft i shpeshtë që shfaqet pothuajse tek të gjitha grupmoshat. Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në shfaqjen e kësaj gjendjeje. Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita”, se në përgjithësi kjo është një gjendje kalimtare dhe e parrezikshme. Megjithatë, në disa raste të caktuara gjakderdhja nga hunda duhet trajtuar menjëherë, pasi ndërlikimet që mund të shkaktojë mund të çojnë deri në pasoja fatale për jetën. Në vijim të shkrimit, mjekja tregon se cilat janë rastet në të cilat duhet të merrni menjëherë ndihmë të specializuar mjekësore, faktorët që ndikojnë në gjakderdhjen e hundëve, shenjat dalluese, kategoritë që rrezikojnë më tepër, si dhe masat që duhet të marrim për të shmangur ndërlikimet e saj.

Çfarë mund të themi për gjakderdhjen nga hundët?

Hunda është një pjesë e trupit tonë shumë e vaskularizuar (e pasur me enë gjaku).Gjakderdhja nga hunda është një fenomen që shumica nga ne e kanë hasur të paktën një herë në jetën e tyre. Në shumicën e rasteve nuk është e rrezikshme, por në disa raste është e vështirë të kontrollohet dhe mund të jetë e rrezikshme për jetën. Gjakderdhja e rrezikshme zakonisht vjen nga zona e pasme e hundës (arteria sfenopalatine). Sidoqoftë, në mbi 80 për qind të rasteve, rrjedhja e gjakut nga hunda shkaktohet nga dëmtimet vaskulare lokale (enët e gjakut) në septumin e përparmë të hundës (kërci që ndan hundën në dy hapësira).

Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë që shkaktojnë gjakderdhjen nga hunda?

Dëmtimi fizik, kimik ose inflamator i mukozës së hundës, futja e trupave të huaj, traumat e ndryshme (për shembull fraktura e bazës së kafkës, fraktura e eshtrave të hundës ose e septumit të hundës) janë ndër faktorët më të zakonshëm. Duke qenë se hunda ka një pozicion të prekshëm, që zgjatet në fytyrë është mjaft e ekspozuar nga traumat. Po ashtu, mjaft të shpeshta janë alergjitë, dehidrimi i mukozave të hundës (për shembull për shkak të ajrit të kondicionuar, përdorimi i drogave thithëse nëpërmjet hundës), sëmundjet akute infektive (për shembull virusi i gripit, tifoja, fruthi), sëmundjet vaskulare dhe të qarkullimit të gjakut (për shembull arterioskleroza, hipertensioni arterial, granulomatoza, purpura trombocitopenike, etj), hemofilia, mungesa e vitaminës K, çrregullimet e faktorëve të mpiksjes së gjakut, efektet anësore të padëshiruara të medikamenteve(veçanërisht medikamentet që përdoren për hollimin e gjakut), mungesa e vitaminës C, diabeti mellitus, ndryshimet hormonale, janë gjithashtu faktorë të mundshëm të gjakderdhjes nga hunda. Pra është e rëndësishme që të analizojmë shkakun e kësaj gjakderdhjeje, në mënyrë të veçantë kur ajo përsëritet vazhdimisht.

Cilat janë komplikacionet e gjakderdhjes nga hunda?

Siç e theksuam edhe më lart, në shumicën e rasteve ajo nuk përbën rrezik. Por në rast se gjakderdhja është e madhe dhe e vazhdueshme, ekziston rreziku i gjendjes së shokut (shoku hipovolemik si pasojë e uljes së volumit të gjakut qarkullues nga gjakderdhja). Një rrezik i madh, veçanërisht për personat e pavetëdijshëm (për shembull ata që vuajnë nga demenca) ekziston rreziku i aspirimit të gjakut (domethënë kalimi i gjakut në rrugët e frymëmarrjes) që është mjaft e rrezikshme. Gëlltitja e gjakut nuk përbën rrezik, por shpesh provokon të vjella sepse gjaku vepron si një nxitës i tyre. Në rastin e gjakderdhjes nga hunda është mjaft e rëndësishme matja e vazhdueshme e presionit të gjakut. Në rastin e personave hipertonikë, kjo gjakderdhje shërben si një valvul shkarkuese për uljen e presionit të lartë gjatë një krize hipertensive. Tensioni i lartë i gjakut duhet trajtuar patjetër për të evituar pasoja të pakthyeshme, sepse në një rast tjetër gjaku mund të mos shpërthejë nga hunda, por në një nga arteriet e kokës me pasoja të pakthyeshme. Në rastin e hemorragjisë së rëndë është e rëndësishme të analizohen parametrat e gjakut për të përcaktuar çrregullimet e koagulimit (mpiksjes) së gjakut. Për të përcaktuar vendndodhjen e gjakderdhjes duhet ekzaminuar me kujdes mukoza e hundës nëpërmjet endoskopisë.

Cilat janë masat e menjëhershme që duhen marrë?

Është e rëndësishme që pacienti të përkuli kokën përpara në mënyrë që gjaku të rrjedhë nga hunda. Gabimisht e ngremë kokën lartë dhe kujtojmë se gjaku ndalon, në fakt gjaku mund të gëlltitet dhe masa e gjakderdhjes nuk mund të vlerësohet. Koka nuk duhet përkulur më poshtë se niveli i zemrës. Nëse vetëdija është dëmtuar, ekziston rreziku i aspirimit të gjakut dhe pengimi i rrugëve të frymëmarrjes. Është e rëndësishme që kur koka mbahet e përkulur të ushtrojmë një shtypje të hundës me gishtin e madh dhe gishtin tregues për të ushtruar një lloj presioni. Butësisht, fryni çdo mpiksje gjaku nga hunda juaj. Lëkura nga hunda mund të përkeqësohet pak kur e bëni këtë, por kjo pritet. Gjakderdhja arteriale nga zona e pasme e hundës nuk ndikohet nga shtypja e hundës (kompresioni) dhe gjaku në këtë rast del përmes gojës. Nëse duhet të teshtini, hapni gojën që ajri të kalojë përmes gojës dhe jo përmes hundës. Ndërsa kryeni këtë veprim për të paktën 5 minuta merrni frymë përmes gojës. Kjo procedurë mund të përsëritet sipas nevojës deri sa gjakderdhja të ndalojë. Një rol pozitiv luan edhe aplikimi lokal me copa akulli të mbështjella me një peshqir në hundë dhe në zonën e faqeve, të cilat luajnë rol në shtrëngimin e enëve të gjakut dhe ndalimin e gjakderdhjes. Solucione të tilla, si: oksimetazolinë, mund të përdoren në afate të shkurtra për të ndihmuar në bllokimin e gjakderdhjeve të vogla, sigurisht nëse nuk vuani nga presioni i lartë i gjakut.

Për sa kohë duhet të përdoren këto solucione?

Sidoqoftë këto solucione nuk duhet të përdoren për më tepër se disa ditë pasi mund ta përkeqësojnë mukozën e hundës. Mbushja e hundëve me pambuk në kushtet e shtëpisë nuk rekomandohet. Tamponimi i hemorragjisë duhet të kryhet vetëm nga mjeku specialist pasi të ketë analizuar me hollësi situatën.

Cilët janë personat që duhet të tregojnë më shumë kujdes?

Kujdes të veçantë duhet të tregojnë pacientët që marrin medikamente për hollimin e gjakut. Ata duhet të jenë nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekut. Janë të rekomanduar edhe lubrifikantë në formë xheli për të zbutur mukozën e hundës. Kujdes duhet të tregojnë edhe përdoruesit e duhanit dhe të drogave, pasi ata janë më të rrezikuarit. Kujdes duhet bërë edhe në ndryshimet nga një mjedis i ftohtë i jashtëm në një mjedis të ngrohtë dhe të thatë të shtëpisë (kur përdorim kondicionerët). Këto ndryshime e bëjnë më të ndjeshme mukozën e hundës ndaj gjakderdhjes.

Somarjo 1

Në shumicën e rasteve ajo nuk përbën rrezik. Por në rast se gjakderdhja është e madhe dhe e vazhdueshme, ekziston rreziku i gjendjes së shokut (shoku hipovolemik si pasojë e uljes së volumit të gjakut qarkullues nga gjakderdhja). Një rrezik i madh, veçanërisht për personat e pavetëdijshëm (për shembull ata që vuajnë nga demenca) ekziston rreziku i aspirimit të gjakut (domethënë kalimi i gjakut në rrugët e frymëmarrjes) që është mjaft e rrezikshme. Gëlltitja e gjakut nuk përbën rrezik, por shpesh provokon të vjella sepse gjaku vepron si një nxitës i tyre.

Somarjo 2

Është e rëndësishme që pacienti të përkuli kokën përpara në mënyrë që gjaku të rrjedhë nga hunda. Gabimisht e ngremë kokën lartë dhe kujtojmë se gjaku ndalon, në fakt gjaku mund të gëlltitet dhe masa e gjakderdhjes nuk mund të vlerësohet. Koka nuk duhet përkulur më poshtë se niveli i zemrës. Nëse vetëdija është dëmtuar, ekziston rreziku i aspirimit të gjakut dhe pengimi i rrugëve të frymëmarrjes. Është e rëndësishme që kur koka mbahet e përkulur të ushtrojmë një shtypje të hundës me gishtin e madh dhe gishtin tregues për të ushtruar një lloj presioni. Butësisht, fryni çdo mpiksje gjaku nga hunda juaj

Somarjo 3

Një rol pozitiv luan edhe aplikimi lokal me copa akulli të mbështjella me një peshqir në hundë dhe në zonën e faqeve, të cilat luajnë rol në shtrëngimin e enëve të gjakut dhe ndalimin e gjakderdhjes. Solucione të tilla, si: oksimetazolinë, mund të përdoren në afate të shkurtra për të ndihmuar në bllokimin e gjakderdhjeve të vogla, sigurisht nëse nuk vuani nga presioni i lartë i gjakut. Sidoqoftë këto solucione nuk duhet të përdoren për më tepër se disa ditë pasi mund ta përkeqësojnë mukozën e hundës. Mbushja e hundëve me pambuk në kushtet e shtëpisë nuk rekomandohet.