Një avion pasagjerësh nga Ukraina është rrëzuar në Iran. Sipas mediave lokale, një Boeing-737 me rreth 176 pasagjerë në bord është përplasur në Iran. Gjysmëhëna e Kuqe e Iranit tha se nuk ka asnjë shans për të gjetur persona të mbijetuar.

Avioni që i përkiste Kompanisë Ndërkombëtare të Ukrainës u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti iranian Imam Khomeini në Teheran, tha agjencia e lajmeve shtetërore Fars.

Raportet paraprake thonë se avioni ishte në rrugë drejt kryeqytetit ukrainas, në Kiev. Është e paqartë nëse incidenti është i lidhur me tensionet Iran-SHBA. Ekipet e shpëtimit janë dërguar në zonë, afër aeroportit, ku u rrëzua avioni.

Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit u tha mediave shtetërore se ishte “e pamundur” që dikush të mbijetonte nga përplasja.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se po bëhen përpjekje për të sqaruar rrethanat e përplasjes dhe numrin e vdekjeve.

“Ngushëllimet e mia të sinqerta për të afërmit dhe miqtë e të gjithë pasagjerëve dhe ekuipazhit. Nuk kemi një akt terrorist” tha ai në një deklaratë.

Irani duket se është shndërruar në një vend të mallkuar për avionët. Vdekja e 176 personave ditën e sotme të cilët po udhëtonin me Boeing 737, është incidenti më i fundit në listën e gjatë të avionëve të rrëzuar në Iran. CCN ka sjellë në vëmendje të gjitha rastet kur është rrëzuar një avion në Iran.

Në vitin 2009, një avion u rrëzua në veriperëndim të Iranit , afër qytetit të Qazvin. 168 persona humbën jetën, mes tyre 10 anëtarë të ekipit rinor të xhudos.

Në vitin 2011, një avion iranian u rrëzua pranë qytetit veriperëndimor të Orumiyeh, në mot të keq. 77 persona humbën jetën.

Në vitin 2018, një avion iranian “Aseman” u rrëzua në fshatin Kohangan, në jug të vendit, duke vrarë të 65 personat në bord .

Në vitin 2019, një avion ngarkesash Boeing 707 që i përkiste ushtrisë së Iranit u rrëzua pranë Teheranit pasi piloti humbi kontrollin e avionit. 50 personat në bord vdiqën.

Në vitin 2020, u rrëzua avioni “Boeing 737” pak pas ngritjes në fluturim nga aeroporti “Imam Khomeini” në Teheran, ku kanë humbur jetën 176 persona.