Irani nuk e ka përjashtur mundësinë e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara edhe pas sulmit amerikan me dron që vrau një gjeneral iranian, tha ministri i Jashtëm i këtij vendi në një intervistë të shtunën për revistën gjermane “Der Spiegel”.

Mohamed Javad Zarif tha se ai “kurrë nuk do të përjashtojë mundësinë që njerëzit të ndryshojnë qasjen e tyre e të njohin realitetin”. Intervista u zhvillua të shtunën në Teheran.

Mes Uashingtonit dhe Teheranit ka pasur një tension në rritje prej vitit 2018, kohë kur Presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Që atëherë SHBA-ja i ka vendosur sanksione të tjera të ashpra Teheranit të cilat kanë dëmtuar rëndë ekonominë e këtij vendi.

Por zoti Zarif tha se Irani ishte akoma i gatshëm për bisedime, ndërsa përsëriti kërkesën drejtuar SHBA-së që të heqë sanksionet.

“Për ne, nuk ka rëndësi se kush është në Shtëpinë e Bardhë, ajo që ka rëndësi është se si sillen”, tha ministri iranian sipas revistës “Der Spiegel”.

“Administrata Trump mund të korrigjojë të kaluarën e saj, të heqë sanksionet dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve. Ne jemi ende aty, ata u larguan”, shtoi më tej ai.

Zoti Trump ka pohuar se marrëveshja bërthamore e vitit 2015-s duhet të rinegociohet sepse nuk adreson çështjen e programit të raketave balistike të Iranit apo përfshirjen e këtij vendi në konfliktet rajonale. Nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes bërthamore, Gjermania, Franca, Britania, Kina dhe Rusia, janë përpjekur ta mbajnë atë gjallë.

Pas sulmit amerikan me dron më 3 janar gjatë të cilit u vra gjenerali i Gardës Revolucionare iraniane Qassem Soleimani, Teherani njoftoi se nuk do t’i përmbahet më asnjë kufizimi që parashkon marrëveshja lidhur me aktivitetin e tij për pasurimin e uranimit.