Qeveria publikoi për herë të parë një përmbledhje të dëmeve të verifikuara të tërmetit të 26 nëntorit. Dëmet më të rënda në strehim dhe infrastrukturën arsimore.

Nga Vladimir Karaj  

Qeveria publikoi të mërkurën një dokument prej 18 faqesh në të cilin përmblidhen për herë të parë në mënyrë të përgjithshme, dëmet e shkaktuara nga tërmeti dhe fatura financiare për rindërtimin. Sipas dokumentit të përpiluar qeveria me mbështetje edhe nga disa institucione ndërkombëtare tërmeti preku direkt dhe indirekt mbi 202 mijë persona, ndër të cilët 51 viktima, 17 mijë të shpërngulur dhe rreth 985 milion euro dëme, kryesisht në strehim dhe në infrastrukturën arsimore. Rindërtimi sipas të njëjtit dokument do të kushtojë 1 miliard e 78 milion euro.

Të dhënat u bënë publike në një tryezë të përbashkët me përfaqësues të qeverisë, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian, PNUD dhe Bankës Botërore. Ministri i Bujqësisë Blendi Çuçi, i cili përfaqësonte qeverinë në takim tha se “raporti ishte përpiluar nga ekspertët më të mirë ndërkombëtar” dhe se ishte i bazuar në një metodologji që përdornin BE dhe OKB.

Ndërkohë ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca tha se raporti do të ndahej me partnerët ndërkombëtar të Shqipërisë për të siguruar fonde për rindërtimin.

Tabelat e publikuara nga qeveria janë të përgjithshme. Sipas të dhënave bashkitë me më shumë dëme janë ato të Durrësit dhe Tiranës me mbi 300 milion euro dëme. Më pas renditen Kruja, Kavaja, Shijaku, Kurbini, Lezha, Kamza, Mirdita dhe Rrogozhina.

Ndërkohë sipas sektorëve pas strehimit, dëmet e të cilit janë llogaritur në rreth 700 milion euro është prekur prodhimi me rreth 150 milion euro dhe infrastruktura arsimore me 72.4 milion euro dëme.

Dokumenti tregon se numri i institucioneve arsimore të dëmtuara është 321 dhe shumica e tyre 178 ndodhen në Bashkinë e Tiranës. Ndërtesa arsimi të dëmtuara ka edhe në Durrës rreth 66. Dëme po ashtu janë shënuar në infrastrukturë dhe ndërtesa në funskion të shëndetësisë, por në numër mjaft më të vogël.

Pjesa më e madhe e dëmeve janë në sektorin privat, rreth 86 për qind, ndërsa është llogaritur që kosto e rindërtimit të shkojë mbi 1 miliard euro me pjesën më të madhe në strehim mbi 800 milion dhe rreth 100 milion në infrastrukturën arsimore.

Sipas dokumentit të dhënat janë përpiluar kryesisht nga INSTAT, PNUD, Drejtoria e Tatimeve, Banka e Shqipërisë dhe ministritë e linjës. Dokumenti parashikon po ashtu rënie të rritjes ekonomike të parashikuar.

Dokumenti i përpiluar me finaicim nga Bashkimi Europian, Organizata e Kombave të Bashkuara dhe Banka Botërore do të prezantohet në konferencën e donatorëve që organizohet nga qeveria dhe BE më 17 shkurt, prej nga synohet të sigurohen ndihma për rindërtimi.