Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka mbledhur pasditen e sotme sërish Task-Forcën e ekspertëve dhe drejtuesve të institucioneve shëndetësore për koronavirusin COVID-19, ku u raportua situata e deritanishme në vendin tonë dhe masat e marra.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, ku ndodhet laboratori i certifikuar që kryen analizën për koronavirus COVID-19, rezulton se janë testuar deri tani 8 raste të dyshuara, të cilat kanë rezultuar negative. Ekspertët konfirmuan në mbledhjen e Task-Forcës se deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar të koronavirusit në vendin tonë.

Task Forca raportoi se po vijohet me forcimin e masave për kontrollin dhe parandalimin e koronavirusit:

“Dyfishim të personelit në Njësitë Shëndetësore në pikat kufitare, aeroport, porte dhe pika kufitare tokësore, monitorimi i pasagjerëve nga ekipi shëndetësor edhe nëpërmjet matjes së temperaturës.

Përforcim i kontrolleve në pikat kufitare, për çdo udhëtar për çdo udhëtar që vjen nga harta gjeografike e vendeve me shpërthime komunitare, e përcaktuar nga OBSH.

Shtimi i informacionit dhe rritja e vizibilitetit të mesazheve në pikat kufitare, për të dhënë më shumë informacion për udhëtarët mbi vetëdeklarimin në strukturat shëndetësore, në rast të një shenjë klinike apo kontaktit me raste të konfirmuar me koronavirus në këto vende.

Rritja e sasisë së mjeteve të mbrojtjes personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare, në strukturat shëndetësore spitalore e deri në nivel të diagnozës laboratorike”.

Task Forca theksoi se duhet të vijojë masa e paracaktuar për vetëkarantinim të personave që vijnë nga vende me shpërthime komunitare të virusit.