Shkalla e lartë e emigrimit të qytetarëve jashtë vendit dhe rënia e lindshmërisë kanë ndikuar në tkurrjen e popullsisë në Kosovë.

Të dhënat zyrtare ndër vite, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, flasin për rënien e konsiderueshme të numrit të lindjeve dhe për numrin në rritje të qytetarëve që kanë ikur nga Kosova, raporton Lajmi.net

Në vitin 2012, numri i popullsisë rezidente në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara në raportet e titulluara ‘Vlerësimi i Popullsisë’, ka qenë 1,820,631 banorë, ndërsa në vitin 2018, numri i banorëve rezidentë ishte 1,795,666.

Popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar–31 dhjetor 2018 u zvogëlua për 2,840 banorë apo -0.16 për qind.

Ndërkaq, sipas një raporti mbi migrimin të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, thuhet se për periudhën 2016-2018, Kosova ka humbur rreth 2 për qind të popullsisë së vendit.