Këshilli i Ministrave ka bërë publike rregullat e detajuara përmes të cilave do të organizohen plazhet për verën e këtij viti për shkak të rrezikut të Pandemisë Covid 19.

Do të kemi dy lloje stacionesh plazhi, të tipit A dhe B, i pari me më pak çadra dhe me distancë më të madhe prej tyre, përkatësisht: 4.5 dhe 3.5 metra. Për stacionet e tipit A, distance nga vija e ujit do të jetë jo më pak se 7 metra.

Çdo stacion duhet të përmbajë 2 kabina zhveshjeje për 50 çadra dhe një kabinë dushi për 100 çadra. Stacionet do të kenë edhe dy ambiente dedikuar shërbimeve higjienike për çdo 100 çadra, si dhe një ambient për dhënien e ndihmës së shpejtë.

Rregullat strikte të mbrojtjes nga rreziku i Pandemisë do të zbatohen edhe kur plazhistët të hyjnë në ujë. Ata do të respektojnë distancën prej tre metrash nga njëri tjetri, ndërkohë që përmes bovave do të përcaktohet dhe hapësira e sigurt për not me thellësi deri 1.6 metra, dhe më tej një hapësirë tjetër prej 200 metrash.

Respektimi i rregullave të sigurisë Brenda në ujë do të sigurohet nga një kullë vrojtimi tre metra e lartë me çati të kuqe e vendosur në rërë, ku çdo vrojtues plazhi do mbulojë një vijë prej 80 metrash linear.