Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar sot se pandemia e koronavirusit është përkeqësuar, duke u përhapur jo te vendet që deri më tani ishin ta paprekura, por edhe duke u rikthyer në disa prej shteteve që mendonin se e kishin fituar betejën me Covid-19.

Shefi i OBSH Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh në një konferencë ditën e sotme se ndonëse situata në Europë është deri më tani nën kontroll, në nivel botëror pandemia është duke u përkeqësuar. Ai u ka thënë gazetarëve që më shumë se 100,000 raste të reja janë raportuar javën e fundit, nga vetëm 10 shtete, shumica prej tyre nga Amerika dhe Azia Jugore.

“Në këto shtete, kërcënimi më i madh është vetëkënaqësia. Rezultatet nga studimet, që tregojnë sesa është ekspozuar popullsia ndaj virusit, tregojnë se shumica e personave në botë janë të ndjeshëm ndaj infektimit”, tha ai.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, deri më tani pandemia e SARS-Cov-2 ka prekur 7 milionë persona dhe u ka marrë jetën mbi 400,000 të infektuarve.

Izolimi shpëtoi jetë

Një sërë ekspertësh shprehen se përkeqësimi i pandemisë dhe rritja e numrit të infektuarve ka ardhur edhe si pasojë e lirimit të masave të kufizimit. Ndërsa shumë vende të botës lehtësojnë masat kufizuese, tashmë shkencëtarët po studiojnë me imtësi përhapjen e virusit, duke arritur në përfundimin se epidemia po të rritet në mënyrë eksponenciale.

Një studim i fundit ka zbuluar se vendimi për të hyrë në izolim në të gjithë botën ka parandaluar miliona vdekje Hulumtimi i Kolegjit Mbretëror të Londrës thekson se rreth 3 milionë vdekje u shmangën në njëmbëdhjetë vende si Austria, Belgjika, Britania, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Norvegjia, Spanja, Suedia dhe Zvicra.

Studiuesit thanë se karantina uli numrin mesatar të personave që janë infektuar nga personat e sëmurë me 81 për qind. Po ashtu, karantina ka ulur numrin e “riprodhimit” të epidemisë (R) nën 1 në të gjitha vendet e vëzhguara.

Kur R-ja është më e vogël se 1, epidemia është në rënie, pasi mesatarisht, çdo person i infektuar e transmeton virusin në më pak se një person.

Ekipi krahasoi të dhëna e Covid-19, në 11 vende evropiane duke përfshirë Britaninë e Madhe, Italinë, Francën dhe Gjermaninë, duke arritur në përfundimin se karantina uli numrin e riprodhimit të epidemisë në Britaninë e Madhe nga 3.8 në 0.63.(GazetaSi)