Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pas kritikave për planet që të tërheqë trupat e Ushtrisë Amerikane nga Gjermania, u ka thënë të diplomuarve të Akademisë Ushtarake në SHBA në “West Point” të shtunën, se puna e tyre është të mbrojnë “interesat vitale të SHBA-së” dhe jo të ndalin “luftërat e pafundme” në tokat e largëta.

Në një deklarim para të diplomuarve në Akademinë Ushtarake, Trumpi u ka thënë kadetëve se puna e një ushtari amerikan nuk është të rindërtojë kombe të huaja, por “të mbrojë, dhe të mbrojë fuqishëm, kombin tonë nga armiqtë”.

“Ne po i japim fund epokës së luftërave të pafundme”, ka thënë Trumpi. “Nuk është puna e forcave amerikane të zgjidhin konfliktet e lashta në tokat e largëta për të cilat shumica e njerëzve as që kanë dëgjuar”.

Si president, Trump ka tërhequr trupat amerikane nga Siria dhe ka kërkuar nga aleatët tjerë që të paguajnë më shumë për angazhimin e forcave amerikane që t’i mbrojë. Në një kritikë të rrallë nga partia e tij, 22 Republikanë nga Komisioni për Shërbimet Ushtarake në Dhomën e Përfaqësuesve i kanë shkruar Trumpit se largimi i trupave nga Gjermania do të dëmtonte sigurinë kombëtare dhe mund të nxisë agresionin e Rusisë.